Pjaniç i jep 3 pikët Juves, Milani merr vendin e dytë

06/11/2016 00:00

Juventusi fitoi jo pa vështirësi ndaj Kievos në transfertë, ndërkohë që Milani mori vendin e dytë të klasifikimit dhe pret i qetë rezultatin e Romës në mbrëmje.

Bardhezinjtë udhëtonin në Verona pas atij barazimi 1-1 me Lionin në ndeshjet e Ligës së Kampioneve në mesjave dhe në minutat e para u duk se kishin hyrë në fushë për ta hedhur pas krahëve këtë takim.

Por,  pavarësisht përpjekjeve, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura. Mandzukiç zhbllokoi rezultatin 8 minuta nga nisja e pjesës së dytë, ndërsa Chivo barazoi gjithça në minutën e 66-të me anë të një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Pellisier.

Juventusi shton ritmin dhe presionin në zonën kundërshtare, por goli do të mbërrinte nga një goditje standarde e ekzekutuar nga Miralem Pjanic në minutën e 75. Për t’u theksuar se pas këtij goli, Kuadrado humbi dy raste të mira për të shënuar golin e tretë.

Edhe Milani fitoi 1-2 në transfertë. Kuqezinjtë mposhtën Palermon me dy golat të shënuar nga Suso dhe Lapadula, që zhvlerësuan barazimin e përkohshëm të vendasve me Nestorovskin.

Atalanta e Etrit Berishës konfirmoi se tre fitoret radhazi që kishte arritur deri në këtë javë nuk ishin një rastësi. Bergamaskët mposhtën 0-3 Sasuolon në fushën e këtyre të fundit dhe megjithëse është shumë herët për të folur, e shohin veten në zonat e Europës. 

Top Channel