Vrasja në pikën e karburantit, policia: Autori përdorues droge

06/11/2016 00:00

Pas gati 10 orësh policia e Sarandës arrestoi autorin e dyshuar të vrasjes së një punonjësi karburanti në orët e para të mëngjesit. Ai është 27-vjeçari Arqile Koçi dhe për policinë i riu njihet si përdorues droge.

Ai u prangos në një hotel, ndërsa u ndalua edhe një shoku i tij që e kishte ndihmuar pas krimit.

Policia e Sarandës publikoi pamjet e grabitjes së karburantit në qafë gjashtë ku mbeti i vrarë punonjësi 44 vjeçar Artan Hoxha.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë, duket autori i krimit që vjen me një motor të kuq dhe një pushkë në krah. Pasi i ka qëlluar punonjësit të pikës së karburantit autori ka marrë shumën prej 60 mijë lekësh dhe është larguar sërish me motorin e kuq.

Falë kamerave të sigurisë por dhe punës në rrugë operative policia bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të ngjarjes së rëndë. Arqilea Koçi, 27 vjeç banues në Qeparo u vu në pranga në një hotel në lagjen nr 4 të qytetit të Sarandës.

Policia e qytetit bregdetar ka arrestuar edhe një shtetas tjetër i cili dyshohet të ketë ndihmuar autorin e vrasjes se punonjësit të pikës së karburantit. Mihal Leka akuzohet për përkrahje të autorit të krimit pasi në banesën e tij policia gjeti çiften, motorin dhe skafandrën dhe një sasi lënde narkotike.

Ngjarja e rëndë ndodh në një periudhe kur grabitjet e pikave të karburantit thuajse në të gjithë vendin janë shtuar ndjeshëm.

Madje për shkak të situatës së krijuar ministri Tahiri zhvilloi një takim me pronaret e pikave të karburanteve të cilëve u kërkoi shtimin e masave të sigurisë dhe krijimin e një sistemi online të kamerave të sigurisë, që të shikohen drejtpërsëdrejti nga komisariatet e policisë që i mbulojnë. Por pavarësisht kësaj, grabitjet jo vetëm që po vazhdojnë, por po shënojnë edhe pasoja të rënda me humbje jete.

Top Channel