Bale bën gjithçka, Real kalon lehtësisht Leganes

06/11/2016 00:00

Dy gola të Gareth Bale dhe një tjetër i Moratas i dhanë fitoren e pastër 3-0 skuadrës së Realit ndaj modestëve të Leganes, që luanin për herë të parë në Bernabeu.

Mbrojtja e skuadrës së ngjitur këtë sezon në La Liga zgjati deri në minutën e 37 kur Bale përfitoi nga një krosim i Iscos duke kaluar dhe portirin për të shënuar golin e avantazhit. Pas këtij goli, gjërat u bënë më të thjeshta dhe për “Los Blancos” që dyfishuan po me anë të Bale në limitet e pjesës së parë.

Por uellsiani nuk do ta mbyllte me kaq ditën e tij të mirë. Ai la gjurmë edhe në golin e tretë, ku ishte autori i asistit për Moratan. Dita e mirë e Realit përmirësohet akoma më shumë me lajmin e rikthimit të Luka Modric. Kroati mungonte prej një muaji e gjysmë për shkak të një dëmtimi në gju.

Ndërkohë, Ronaldo konfirmoi formën e tij “Jo”. Portugezi nuk la gjurmë në këtë takim dhe statistikat e një goli në pesë ndeshjet e fundit, tregojnë ditët e këqija që po kalon, ditë që gjithsesi ndoshta përmirësohen me milionat që pritet të përfitojë nga kontrata e re.

Top Channel