“Maria Kraja” shkon në Gjeorgji

06/11/2016 00:00

Trofeu i çmimit të parë të Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Maria Kraja” ka udhëtuar këtë vit drejt Gjeorgjisë. Juria, me në krye drejtoren e Operas së Shtutgartit, përzgjodhi mes 8 finalistëve sopranon gjeorgjiane, Ilona Mataraze, si fituese të edicionit të 16 të festivalit operistik.

Në vendin e dytë u rendit baritoni nga Ukraina, ndërsa çmimi i tretë shkoi për Klodian Kaçanin, tenorin nga Shqipëria.

Risia e këtij viti ishte çmimi “Singer of the Future, Nina Mula”, i akorduar nga familja Mula, çmim që shkoi për përfaqësuesen greke.

Mbrëmja finale rezervoi edhe të ftuar specialë. Sopranoja e njohur Eva Golemi dhe çifti i balerinëve Gerd Vaso e Enada Hoxha u mirëpritën nga publiku në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Përgjatë dy netëve, Festivali “Maria Kraja” solli në Tiranë ariet më të bukura të të gjitha kohërave, por ngjiti gjithashtu në skenë edhe yjet e rinj operistikë.

Top Channel