Kosovë, hetime për vdekjen e aktivistit të VV në paraburgim

06/11/2016 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, tha se zyrtarët e këtij shërbimi janë tashmë në Prizren dhe po interesohen për sqarimin e vdekjes së veprimtarit të LVV-së, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

“Ende nuk është bërë autopsia. Nuk kemi se çfarë të themi. Një ekip i Shërbimit Korrektues është atje. Ata dalin me një raport të veçantë. Sot kam drejtuar edhe një ekip tjetër që t’i hetojnë rrethanat”, tha Zogaj.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet një komunikate deklaroi se me qëllim të garantimit të transparencës në hetimin e rastit, ka marrë vendim që t’ia mundësojë “përfshirjen e ekspertit të kërkuar nga familjarët e të ndjerit Dehari, në cilësinë e vëzhguesit në procesin e autopsisë”. Mësohet se eksperti është një mjek ligjor nga Shqipëria.

Ndërkohë, gjatë ditës së dielë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha deklaroi për “Radion Evropa e Lirë” se, Prokuroria dhe ekipet përkatëse kanë kryer të gjitha hetimet në bazë të rregullave për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

Në një konferencë për shtyp, aludimet se aktivisti Astrit Dehari ka vdekur nga konsumimi i barnave i ka hedhur poshtë Dardan Molliçaj, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Astriti nuk ka vdekur në spital, por ka shkuar i vdekur atje. Një javë më parë ai i ka bërë analizat me kërkesën e tij dhe ato kanë treguar se nuk vuan nga asnjë problem. Astrit Dehari nuk ka qenë duke marrë asnjë medikament, apo tabletë, sa ka qenë në burg”, ka thënë Molliçaj.

Dehari ndodhej nën masën e paraburgimit, i  arrestuar javë më parë me akuzën për përfshirje në sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Top Channel