KLSH kallëzon ish-drejtorin e portit Durrës. Dëm 217 mln lekë

06/11/2016 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori ish-drejtorin e Portit të Durrësit, Gazmend Shalsi, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ky i fundit është larguar nga detyra, ku qëndoi për rreth 2 vite, pak ditë më parë.

KLSH-ja ka zbuluar një dëm prej 217 milionë lekësh dhe mospërmbushje e detyrimeve koncesionare për investime në vlerën 6.6 miliardë lekë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar periudhën nga nëntori i 2011-s deri në prill të këtij viti. Përveç kallëzimit për ish-drejtorin e Përgjitshëm ekzekutiv, KLSH-ja kërkon 35 masa për shpërblim dëmi dhe 21 masa të tjera disiplinore për punonjësit e Autoritetit Portual Durrës.

Dëmi më i madh është detyrimi rreth 38.7 milionë dollarë i 3 kompanive koncesionare, që nuk kanë zbatuar kontratën për të investuar në terminalet respektive të marra me koncesion.

KLSH-ja i ka kërkuar edhe Ministrisë së Transporteve informacion zyrtar mbi kontratat koncesionare, por nuk i është vënë në dispozicion asnjë lloj dokumenti.

Shkelje të tjera ka në shkarkimin e tubave dhe makinerive të gazsjellësit TAP, të cilat nuk kryhen nga Autoriteti Portual, por nga një subjekt privat.

Top Channel