Pa karburant në skaf, kërkime nga deti dhe nga ajri për një shtetas

06/11/2016 00:00

Forcat detare dhe ajrore shqiptare, që prej mëngjesit të së dielës janë përfshirë në një operacion kërkim-shpëtimi në det, të një personi që po lundronte me një skaf privat.

Në orët e para të mëngjesit, Policia Kufitare në Vlorë u ka kërkuar ndihmë Forcave të Armatosura, pasi shtetasi Ardian Jahaj, i cili lundronte nga Italia në Shqipëri me skafin privat, kishte kërkuar ndihmë për shkak të mbarimit të karburantit, 10 milje në veriperëndim të Sazanit dhe grykëderdhjes së Vjosës.

Alarmin e ka dhënë djali i Ardianit, Fatjon Jahaj. Edhe pse në kërkim të skafit u nisën dy anije dhe u ngrit në fluturim edhe helikopteri “Kugar”, për orë të tëra nuk pati asnjë kontakt me skafin. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, helikopteri dhe një anije janë tërhequr nga operacioni, të cilin po e vazhdon vetëm anija “Oriku”, që e ka zhvendosur hapësirën e kërkimit drejt gjirit të Durrësit, ku edhe janë dhënë koordinatat e fundit të ndodhjes së skafit.

Gjatë kohës së kërkimit, djali i Ardianit ka pohuar se kishte kontaktuar sërish me të atin, duke ndryshuar koordinatat e zonës ku ndodhej. Por edhe me koordinatat e reja, ende nuk ka asnjë sinjal të skafit, ndërsa operacioni i kërkimit po vijon.

Top Channel