38 martirët, Papa: Pranuan torturat e vdekjen, por nga Zoti nuk hoqën dorë

06/11/2016 00:00

Martirët e lumturuar të shtunën në Shkodër kanë zënë vend në predikimin e Papa Françeskut gjatë meshës së të dielës, ku Ati i Shenjtë i citoi si një rast vetëfjilimi sublim në emër të besimit të tyre.

Këta njerëz, – tha kreu i Kishës Katolike, – pranuan torturat e vdekjen, por nga Zoti nuk hoqën dorë”.

“Dje në Shkodër të Shqipërisë u lumturuan 38 martirë: dy peshkopë, priftërinj të shumtë, një seminariste e disa laikë, viktima të persekutimit të egër të regjimit ateist, që e dominoi gjatë atë vend shekullin e kaluar. Ata preferuan të vuanin burgun, torturat, e deri edhe vdekjen, vetëm që t’i mbeteshin besnikë Krishtit dhe Kishës. Shembulli i tyre na ndihmoftë të gjejmë te Zoti, forcën që ruan në momentet e vështirësisë e që frymëzon qëndrime mirësie, faljeje dhe paqeje”, tha Papa Françesku.

Ceremonia e lumturimit të 38 martirëve të pushkatuar nga regjimi komunist, për shkak të besimit të tyre, u zhvillua të shtunën në Shkodër, në Katedralen e “Shën Shtjefnit”.

Ceremonia u drejtua nga Kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. “Beatifikimi” u realizua me urdhër të vet Papa Françeskut dhe pas kërkesës së autoriteteve të Kishës Katolike në Shqipëri.

Në shërbesën historike të kthyer në dëshminë e faktit, sesi sakrifica dhe vlerat e këtyre njerëzve kapërcyen dekada të tëra pas vdekjes së tyre, për t’i sjellë në fund vlerësimin e lartë që meritojnë, morën pjesë besimtarë të shumtë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Kroacia e mbase diaspora shqipfolëse, ndërsa nuk mungoi dhe prania e autoriteteve më të larta shtetërore.

Top Channel