Kakavijë, vijojnë kthimet. Shumica, punëtorë sezonalë në Greqi

06/11/2016 00:00

Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës janë kthyer sërish qytetarë shqiptarë. Ky fenomen ndodh gjithnjë në këtë periudhë të vitit, kur shumica e të kthyerve, sipas policisë greke janë punëtorë të tregut të zi, të punës për plantacionet e agrumeve dhe ullinjve, ndërsa të tjerë nuk plotësojnë kriteret e “Schengen”-it.

Por të kthyerit, kryesisht burra dhe djem të rinj thonë se, dokumentet nuk janë përfillur fare prej policisë greke. Vetëm mëngjesin e së dielës, në Kakavijë ka pasur rreth 50 të kthyer.

Burime nga Policia Kufitare bëjnë të ditur se ritmi ditor i personave që iu është refuzuar hyrja në Greqi është në rënie, krahasuar me pak ditë më parë. Anulimi me kryq i vulës së hyrjes është një masë që pengon kalimin për 24 orë, deri në plotësimin e kushteve të kërkuara të “Schengen”-it.

Personat e kthyer vijnë kryesisht nga qendra dhe veriu i vendit dhe qëllimi i hyrjes në Greqi mbetet puna sezonale. Vetëm gjatë kësaj jave, prej tri pikave kufitare të Kakavijës, Sopikut dhe “Tre Urave” janë kthyer pas më shumë se 500 qytetarë shqiptarë.

Top Channel