Siri, forcat rebele kurde nisin operacionin në “Raqqa”

06/11/2016 00:00

Forcat kurdo-arabe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar këtë të dielë nisjen e një operacioni për të rikthyer nën kontroll qytetin e Raqqasë, të pushtuar nga militantë të Shtetit Islamik, i konsideruar gjithashtu edhe si “kryeqyteti de facto” i tyre në Siri.

Forcat demokratike siriane (SDF) kanë bërë të ditur se gjatë kësaj sipërmarrjeje do të ndihmohen nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara, ndërsa operacioni do të nisë brenda pak orësh. Ata kanë paralajmëruar gjithashtu civilët që të largohen me sa të munden nga zonat ku ndodhen të pranishëm militantë të Shtetit Islamik.

Koalicioni i kurdëve me milicitë etnike arabe po korr fitore në zonat në veri të qytetit. Operacioni në fjalë nis vetëm pak ditë pasi forcat irakiane, të mbështetura nga SHBA-të, vijojnë fushatën e tyre për t’i larguar militantët e ISIS nga fortesa e tyre në Irak, Mosul.

Aleanca “SDF”, e cila dominohet kryesisht nga milici të Njësive Kurde të Mbrojtjes Popullore (YPG), ka rezultuar si një prej aleateve më decizive të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të përgjatë dy viteve të fundit, duke udhëhequr luftën kundër ISIS në terren, në veri të Sirisë.

Turqia, fqinji më i afërt verior i Sirisë në veri, nuk pritet të marrë pjesë në këtë operacion. Kjo për shkak sepse “YPG”-në, Ankaraja e konsideron organizatë terroriste dhe thotë se nuk do të pranojë asnjë rol të kurdëve në çlirimin e Raqqasë. Ky qytet i shpall si kryeqyteti “de facto” i “kalifatit” të Shtetit Islamik që prej vitit 2014.

Një raport i monitoruesve të konfliktit, i tetorit 2016, bën të ditur se xhihadistët kanë humbur rreth 16 për qind të territorit që kontrollonin në fillim të vitit, ndërkohë që në përgjithësi kanë humbur mbi një çerekun e asaj që kishin nën zotërim në janar të vitit 2015.

Top Channel