Turqi, “HDP”-ja prokurde bojkoton Parlamentin pas arrestimeve

06/11/2016 00:00

Partia prokurde “HDP” vendosi të bojkotojë Parlamentin pas arrestimit të 11 ligjvënësve të saj. Partia Demokratike e Popullit, forca e dytë më e madhe opozitare në Asamblenë e Turqisë, sqaroi se tërheqja nuk do të jetë përfundimtare, por deputetët e saj do të rreshtin së marri pjesë në takimet e komisioneve dhe seancat parlamentare.

“Pas diskutimeve me grupin tonë parlamentar dhe Kryesinë e partisë, vendosëm të ndalojmë përpjekjet tona legjislative në dritën e sulmit më të errët në historinë e demokracisë sonë. Do të takojmë sërish njerëzit tanë. Do të shkojmë në çdo lagje, çdo fshat e qytet, e të dëgjojmë ankesat apo sugjerimet që ata kanë”, tha Ayhan Bilgen, zëdhënës i “HDP”-së.

Shumica e mbështetësve të partisë janë në juglindjen me shumicë kurde të vendit. Krerët e “HDP”-së, Selahattin Demirtas dhe Figen Yuksekdag janë lënë në qeli, në pritje të procesit gjyqësor.

Veprimet e ekzekutivit turk ngjallën shqetësimin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Gjermania dhe Danimarka thirrën diplomatët turq për shpjegime. Sipas presidentit të Parlamentit Europian, Martin Schulz, veprimi i Ankarasë vë në pikëpyetje bazën e një marrëdhënieje të qëndrueshme BE-Turqi.

Top Channel