LSI, votohet për kreun e ri të partisë

06/11/2016 00:00

Sot zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por gjithashtu do të votohen duke zgjedhur me votim të fshehtë, sipas parimit “një anëtar, një votë”, edhe të gjithë delegatët, rreth 2.500 të tillë, që do të përfaqësojnë strukturat e LSI-së në Konventën Kombëtare Zgjedhore, që do të mbahet në muajin dhjetor.

Në mbarë vendin janë hapur 225 qendra votimi. Për kreun e LSI-së kandidojnë kryetari aktual i saj, Ilir Meta, Shezai Rrokaj dhe Përparim Spahiu.

Ndër të parët që ka votuar, duke hedhur votën e tij në Njësinë 5, ka qenë zv.kryetari Petrit Vasili, i cili, teksa shprehu vullnetin e tij për kreun e ri dhe për delegatët që do të përfaqësojnë strukturat e LSI-së në Konventën Kombëtare Zgjedhore të dhjetorit, vlerësoi standardin e vendosur nga LSI-ja në politikën shqiptare.

“Procesi i votimit po ecën në mënyrë të shkëlqyer në të gjithë territorin e vendit. Jam shumë i lumtur që sapo përfundova procesin e votimit. Jam sigurisht shumë i lumtur gjithashtu, që edhe pas 12 vitesh të themelimit të LSI-së, standardi i vendosur për herë të parë në atë kohë në politikën shqiptare, për të zgjedhur me parimin ‘një anëtar-një votë’ kryetarin e LSI-së, vazhdon të jetë një parim i pandryshuar dhe shumë i shëndetshëm brenda LSI-së”, tha Vasili.

Vasili u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të LSI-së që t’iu drejtohen qendrave të votimit të hapura në të gjithë vendin. “Është një moment për të bërë thirrje dhe për të ftuar të gjithë anëtarët e LSI-së që të vazhdojnë me intensitet të lartë, sikurse kanë bërë që në mëngjes, duke iu drejtuar masivisht qendrave të votimit jo vetëm për të zgjedhur kryetarin e ri të LSI-së, jo vetëm për të rinovuar forumet e saj, por për të shprehur mendimin e gjallë politik dhe intensiv që u shpreh gjatë të gjithë fushatës”, theksoi më tej zv.kryetari i LSI-së.

Vasili u shpreh se sot është një ditë e veçantë për LSI-në, ndërsa përshëndeti vendimin e Kryesisë që në këto zgjedhje të konkurrohet me lista të ndara, ku kuotat e respektimit për LRI-në, për LGI-në dhe LSI-në janë saktësisht nga 1/3 e secilit, duke krijuar një barazpeshë të të gjithë faktorëve.

Votën e tij e ka hedhur edhe kandidati për kryetar, Përparim Spahiu. Ky i fundit, në një prononcim nga Dibra pas votimit, theksoi se LSI-ja është e para, ndërsa falënderoi të gjithë anëtarësinë e LSI-së për një proces – siç e cilësoi ai, – të shkëlqyer zgjedhor, që është një shembull për të gjitha partitë politike në Shqipëri.

“Besoj se erdhëm deri këtu për një LSI më të mirë, që unë personalisht besoj fort se është për një Shqipëri më të mirë. Për një politikë që dëgjon dhe mban shënim kërkesat dhe problemet e njerëzve dhe që i zgjidh ato. Unë besoj fort, se LSI është e para dhe duhet të jetë e para. Unë në këtë proces dua të falënderoj pa masë të gjithë anëtarësinë e LSI-së për një proces fantastik zgjedhor, që për mua është një shembull për të gjitha partitë politike në Shqipëri”,  deklaroi Spahiu.

Top Channel