Trump, në fortesat e demokratëve. Aty ku republikanët nuk fitojnë prej 40 vitesh

06/11/2016 00:00

Shënjestra e Donald Trumpit në dy ditët e fundit përpara zgjedhjeve do të jenë shtetet demokrate. Plani i Trumpit është të vizitojë 3 bastione të hershme të kundërshtarëve: Pensilvaninë, Michiganin dhe Minesotën, të cilat nuk votojnë për republikanët që prej vitit 1972.

“Do të shkojmë në ato vende, që i quanin dikur fortesa të demokratëve. Aty ku tani, ne ose jemi në pozita të barbarta, ose në kryesim. Do të shkojmë në Minesotën, që tradicionalisht nuk ka qenë republikane”, tha Trump.

Mbrëmjen e së shtunës, miliarderi u largua me nxitim nga foltorja e tubimit elektoral në Reno të Nevadës prej agjentëve të shërbimit sekret. Trumpi rreshti së foluri, kur pa diçka në mes të publikut, por u kthye në platformë pak minuta më vonë.

Fjalimin, ai e rinisi me këto fjalë. “Askush s’e ka thënë që do të ishte e lehtë për ne. Dua t’i përcjell shërbimit sekret falënderimet e mia”.

Personi në qendër të incidentit, 33-vjeçari Austyn Crites po mbante në duar një pankartë, ku shkruhej “Republikanët kundër Trumpit”, kur oficerët e sigurisë e rrëzuan në tokë. Crites thotë se ka qenë duke protestuar qetësisht, por dikush nga turma bërtiti se ai kishte një armë dhe atëherë nisi paniku.

Një pjesë e njerëzve u shtrinë në tokë, të tjerë vrapuan të largoheshin. Por edhe pse policia e kontrolloi imtësisht të gjithë vendin, aty nuk u gjet asnjë armë. Anketimet e reja tregojnë se, rreth 33 milionë amerikanë, apo një e katërta e elektoratit kanë votuar tashmë për presidentin e ardhshëm.

Clintoni, sipas tyre, vazhdon të kryesojë në shtetet kyçe, por që prej ndërhyrjes së FBI-së, diferenca e saj me Trumpin është tkurrur ndjeshëm.

Top Channel