Allias, Salianji: Nuk dëgjohet komuniteti, bashkia ka prioritet korrupsionin

06/11/2016 00:00

Banorët e Alliasit në Tiranë ankohen prej muajsh për shkak të lojërave të Bashkisë me devijimin e projektit të rrugëve në këtë zonë,  gjë që ua ka përkeqësuar jetën. Ata thonë se prej dy muajsh është tejkaluar afati i punimeve, shtrimit të tubacioneve dhe asfaltimit.

Banorët janë të shqetësuar, sepse projekti i miratuar dy vite më parë është ndryshuar për shkaqe korruptive. Ata kanë kërkuar dëgjesë me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, por nuk janë pritur dhe as nuk kanë mundur të ankohen për kushtet mesjetare në të cilat jetojnë, në zemër të kryeqytetit.

Sekretari i Aksionit Qytetar në PD, Ervin Salianji i takoi banorët, duke dëgjuar nga afër shqetësimin e tyre.

“Projekti i zgjerimit të rrugës ishte 11 metra, është bërë 9. Këto janë bërë për interesa të firmës. Duam që projekti të zbatohet me cilësinë e përcaktuar më parë”, ka thënë një banor.

“Kemi kohë që e presim këtë projekt, jo vetëm sot. Ky projekt që është ndryshuar nuk i sjell të mira askujt në këtë komunitet. S’jemi dakord. Më mirë ta lënë pa bërë”, u ankua një tjetër qytetar i zonës.

Në këtë lagje të madhe të Tiranës jetojnë 1.000 familje, të cilat kërkojnë vetëm zbatimin e projektit përpara fillimit të dimrit.

“Po hidhen parà kot dhe nuk pyeten qytetarët nga askush. Nuk hidhen për komunitetin, të hapet, të zgjerohet e të shtrohet rruga, por kërkojnë që të vjedhin. Ju keni kërkuar me peticion që t’iu dëgjojnë. Nuk ju dëgjon njeri. Përveç kësaj, ju thoni se ju kërkojnë parà për të prishur avllitë tuaja, ndërkohë që është detyrë e tyre të sistemojnë rrugën”, është shprehur Salianji para qytetarëve.

Top Channel