Lumturia që forcon një lidhje!

05/11/2016 00:00

Prova e radhës për stafin e emisionit “Dua të të bëj të lumtur” ka qenë një histori dashurie mes dy të rinjve, Genci dhe Ola.

Ka qenë Genci që i është drejtuar emisionit të Top Channel, duke kërkuar ndihmë për t’i bërë një surprizë të bugur të fejuarës së tij. Surpriza ka qenë një udhëtim në Pragë.

Me të mbërritur, Ola, e shoqëruar nga prezantuesja Arbana Osmani, ka shëtitur kryeqytetin romantik çek, duke u ndalur në një sërë atraksionesh turistike e kulturore.

Shëtitja më e bukur ka qenë ajo në një karrocë me kalë, në fund të të cilës Ola ka gjetur të fejuarin e saj, i cili i ka propozuar për martesë. E emocionuar dhe paksa e përlotur, vajza është përgjigjur… “PO”.

Ndërkohë, të ftuar mbrëmjen e kësaj të shtune në studion e “Dua të të bëj të lumtur”, çifti ka bërë të ditur se ka fiksuar tashmë datën e martesës, që do të bëhet vitin e ardhshëm.

Top Channel