Vdes në paraburgim aktivisti i Vetëvendosjes

05/11/2016 00:00

Një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta në burgun e Prizrenit. Astrit Dehari ka ndërruar jetë gjatë transportit nga dhomat e paraburgimit për në Spitalin Rajonal të qytetit.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës deklaroi se në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse së shpejti do të japin raport për rrethanat dhe detajet e këtij akti tragjik”, thuhet në një njoftim të institucioneve të Kosovës..

Ndërkohë, policia e Prizrenit thotë se viktima ka përdorur disa ilaçe e më pas ka rënë në koma.

Nexhmi Krasniqi, drejtor i Policisë, deklaroi se policia është duke kryer procedurat e nevojshme.

“Të gjitha ekipet policore së bashku me prokurorin kanë dalë ne vendin e ngjarjes dhe janë duke u kryer procedurat e nevojshme,” tha Nexhmi Krasniqi, drejtor i Policisë së Prizrenit.

Astrit Dehari ka qenë njëri nga gjashtë të akuzuarit për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gusht të këtij viti. Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje mbajti një aksion simbolik pranë burgut të Prizrenit, aty ku sipas tyre padrejtësisht po mbahej prej 67 ditëve, Astrit Dehari.

Top Channel