Një grua në krye të Shtëpisë së Bardhë

05/11/2016 00:00

Gratë amerikane kanë mendime të ndryshme sa i përket mundësisë që Amerika të udhëhiqet për herë të parë në historinë e saj nga një grua. Për disa ky do të ishte një moment historik, por të tjera e shohin këtë si të parëndësishme.

Alyse Laemmle lindi në vitin 1916, 4 vjet pas ratifikimit të amendamentit të 19-të që u garantoi grave të drejtën për të votuar. Thotë se do të votojë për Klintonin, por jo sepse është një grua.

“Do të më pëlqente shumë ta shihja atë presidente. Nëse do të ishte burrë do të ishte e njëjta gjë. Është njeri i aftë”, thotë Alyse.

Demokratja nuk e shfrytëzoi shumë kartën e gjinisë gjatë zgjedhjeve paraprake të 2008 kundër Barack Obama, por këtë herë ajo u ka bërë thirrje votueseve të mos humbasin mundësinë për të bërë historinë, duke zgjedhur gruan e parë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Mesazhi i saj duket se ka bindur shumë qytetarë.

“Mendoj se është historike, pasi është hera e parë që ndodh. Shpresoj shumë që ajo të fitojë”, thotë Marla McGaë.

Por ka edhe nga ato që mendojnë se kandidatët nuk duhet të zgjidhen mbi bazën e gjinisë, por të politikave të tyre.

“Nuk mendoj se gjinia të bën president më të mirë”, thotë Diane.

Klinton e ka vendosur çështjen e gjinisë në qendër të fushatës së saj, për të cilën është kritikuar vazhdimisht nga rivali republikan. Nëse do të arrijë ose jo të shkruajë historinë, kjo mbetet për t’u parë në 8 nëntor.

Top Channel