PD harton programin qeverisës, asistohet nga CDU-ja e Merkel

05/11/2016 00:00

Partia Demokratike do të mbështetet nga ekspertë gjermanë të Unionit Kristian Demokrat, CDU dhe fondacionit Konrad Adenauer për hartimin e programit politik, me të cilin do të garojë në zgjedhjet e ardhshme.

Kryetari Lulzim Basha ka deklaruar se hapi i parë është shembja e qeverisjes aktuale, të cilën e quan të korruptuar dhe kriminale.

“Marrim përgjegjësitë tona si opozitë sot dhe alternativë për nesër për t’iu shpalosur shqiptarëve jo thjesht denoncimet me fakte e argumente, por edhe rrugët e daljes që kalojnë nga një model i ri politik, të një demokracie funksionale në duart e qytetarëve dhe jo të një mekanizmi të kalbur në Tiranë, që po e përdor vetëm për pasurimin e vetë dhe një grushti njerëzish me apo pa rekord kriminale. Shembja e këtij estabilishmenti të korruptuar dhe kriminal është hapi i parë që duhet hedhur”, ka deklaruar Basha.

Përtej rendit dhe sigurisë, kreu i demokratëve beson se qeverisja e mirë vjen nga rishpëndarja e mirë e të ardhurave. Basha është ndalur tek alternativa ekonomike e të djathtëve, që është, siç ka thënë ai, modeli i taksave të ulëta.

“Taksa e sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind dhe asnjë shpenzim që nuk shkon tërësisht në shërbim të taksapaguesit”, ka thënë Basha.

Nga ana tjetër, Matthias Schafer, drejtues i politikave ekonomike te Conrad Adenauer, ka deklaruar se, programi i PD është i përshtatshëm për të zgjidhur problemet që frenojnë rritjen ekonomike.

“Program i PD është një program që rikthen besimin, që nuk mban premtime boshe, por realiste”, ka thënë Schafer.

Ai ka nënvizuar se, programi përmban një skemë taksimi që ndihmon sipërmarrjen, garanton rritje ekonomike dhe vende të reja pune.

“Parashikon taksa të thjeshta dhe transparente”, ka shtuar Schafer.

Top Channel