Hashashi, Tirana kërkon ndihmë, Tahiri letër BE-së

05/11/2016 00:00

Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht ndihmë Bashkimit Europian në luftën kundër kanabisit.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një letër dërguar Komisionierit për Çështjet e Brendshme në BE, Dimitris Avramopolus i kërkon që ky i fundit të verifikojë nëse agjencitë ligjzbatuese të BE-së, Europoli dhe Frontex mund ta ndihmojnë Shqipërinë në luftën kundër drogës.

Në një letër të gjatë, Tahiri bën një panoramë të të gjithë luftës së tre viteve të fundit, që kur ndodhet në krye të ministrisë së Brendshme shqiptare. Ai thekson se vetëm gjatë këtij viti janë shkatërruar 1 milionë e 700 mijë bimë narkotike dhe janë arrestuar 400 autorë.

Por ky volum punë e kanë vënë policinë shqiptare në presion të papërballueshëm për buxhetin dhe infrastrukturën që ajo ka ashtu edhe në kapacitetet e saj.

E gjendur në këtë situatë Saimir Tahiri ministri shqiptar i Brendshëm i kërkon komisionerit Avramopolus të vlerësojë se lufta ndaj drogës është një luftë që nuk mund të bëhet nga një shtet i vetëm. Ai kërkon që komisioneri të verifikojë nëse ka mekanizma të ndryshme brenda agjencive të Europolit dhe Frontex-it ose kapacitete të tjera financiare të BE-së që mund ta ndihmojnë Shqipërinë në vazhdimin e kësaj lufte.

Tahiri vë në vëmendje të komsionerit se kjo drogë nuk duhet të shkoje as në shkollat shqiptare dhe as drejt vendeve të BE-së. Kreu i ministrisë së Brendshme beson se do të gjejë një mbështetje nga Bashkimi Europian.

Top Channel