Meta: LSI bëri reformat. Garantuam rekomandim pozitiv  

05/11/2016 00:00

Pak orë përpara zgjedhjeve Brenda LSI për kryetarin e ri të saj dhe teksa pritet rekomandimi nga Komisioni Europian për celjen e negociatave për anëtarësim, Ilir Meta e vlerëson partinë e tij për rolin që ka luajtur në realizimin e reformave madhe për vendin, reforma që sipas tij do të bëjnë të mundur një rekomandim pozitiv.

“Padyshim që roli i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë kyç për realizimin e shumë reforma në vend dhe në mënyrë të veçantë për arritjen e konsensusit për reformën kryesore, atë të drejtësisë. Sepse vetëm përmes bashkëpunimit për çështjet më të mëdha që i interesojnë të ardhmes afatgjatë të vendit dhe qytetarëve tanë, ne do të arrijmë të plotësojmë të gjitha ato standarde që kërkon anëtarësimi në Bashkimin Europian, por që kërkon edhe përmirësimi i vazhdueshëm i standardeve të jetesës së qytetarëve tanë”, tha Meta.

Megjithatë Ilir Meta tha se partia që ai drejton që nga themelimi, duhet të rritet edhe më shumë.

“Një LSI më e fortë do të thotë një Shqipëri më e qetë, më e stabilizuar dhe më e sigurt në rrugën e integrimit evropian dhe për zhvillimin e qëndrueshëm. Ndaj rritja e LSI , fuqizimi i saj, ruajtja e vlerave që kjo forcë politike ka sjellë dhe për të cilat qëndron në jetën politike të vendit është një shërbim në radhë të parë ndaj vendit. LSI gjithmonë gjen fuqinë për të reflektuar dhe për të përmirësuar vetveten. Dhe kjo është një nga avantazhet më të mëdha të saj në raport me forcat e tjera politike që shkëputen nga realiteti”, vijoi kreu i LSI-së.

Gjatë takimit me banorë të Beratit, u shpërndanë 600 karta të reja anëtarësimi. Anëtarët e LSI do të votojnë të dielën për delegatët dhe kryetarin e ri të partisë.

Top Channel