PD: Rama në krah të trafikantëve, ndëshkohen oficerët që zbuluan drogën

05/11/2016 00:00

Partia Demokratike reagoi sot me anë të kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, në këtë parti Enkelejd Alibeaj, pas kapjes sasive të mëdha me hashash në Rrëshen, duke akuzuar edhe një herë kryeministrin se është në krah të biznesit të kanabisit. Madje, sipas Alibeajt dy agjentë të policisë që bën të mundur kapjen e drogës janë ndëshkuar.

“Me Edi Ramën, trafikantët dhe baronët e drogës kanë mbrojtje deri në fund. Ngjarje tronditëse, që dëshmojnë rreshtimin e Ramës në krah të biznesit të kanabisit kanë ndodhur pas aksionit të fundit të kapjes së sasive të mëdha me hashash në Rrëshen. Të dy agjentët kryesorë të policisë që gjurmuan dhe bënë të mundur kapjen e drogës, janë ndëshkuar, janë transferuar. Ilir Sula, shefi i sektorit të krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe Agron Qullhaj, shefi i anti-drogës në Lezhë, në vend se të shpërbleheshin e të promovoheshin në detyrë nga Edi Rama, janë degdisur në role periferike, pa asnjë motiv”, tha Alibeaj.

Edi Rama edhe një herë qëndroi në anën e trafikantëve, dhe kundër oficerëve, burrave e grave me integritet që luftojnë drogën.

Alibeaj thotë më tej në deklaratën e tij se Kryeministri Rama dërgoi në krye të Policisë së Lezhës “një ushtar të konfirmuar të Shullazit”.

“Këtë rrugë ai e shtroi edhe më parë, duke dërguar në krye të Policisë së Lezhës, një ushtar të konfirmuar të Shullazit, një njeri të kontestuar publikisht, të përfshirë në ngjarje kriminale, sic është Ermal Muca”.

Ai thekson se droga, kanabizimi i vendit, lidhja e trafikantëve me qeverinë, janë një shqetësim kombëtar, i shprehur nga qytetarët, nga përfaqësuesit me në zë të opinionit publik, nga partnerët ndërkombëtar.

“Shqiptarët, në shumicë dërrmuese kundër kësaj të keqeje, nuk mund të lejojnë që droga e trafikantët të mbrohen, të ruhen, të rriten nga kryeministri i vendit. Është koha për ti treguar vendin atyre, e për ti dhënë Shqipërisë, zhvillim e punë të ndershme, rend e siguri”, përfundon deklarate Alibeajt.

Top Channel