Nën hetim italiani, nuk i dha pagat punonjësve të rrobaqepësisë në Durrës

05/11/2016 00:00

Punonjëset e një rrobaqepësie në Durrës kanë denoncuar punëdhënësin e tyre për mosdhënie të pagës mujore dhe mos shlyerjen e detyrimeve për sigurimet shoqërore prej disa muajsh.

Antikrimi Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit me të marrë kallëzimin nisi procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të pronarit të shoqërisë, një shtetas italian 49 vjeçar, që e ushtron aktivitetin e tij në Shkozet të Durrësit.

Ndonëse problemi prek të gjitha vajzat e gratë që punojnë në këtë rrobaqepësi, vetëm 6 prej tyre kanë kërkuar ndihmën e policisë për të marrë pagën për punën e bërë.

Gjashtë denoncueset e moshës nga 22 deri 43 vjeçe kanë deklaruar se pronari i firmës së rrobaqepësisë, ku ato punojnë ka 4 muaj që nuk i ka paguar dhe nuk u ka shlyer detyrimet e sigurimeve shoqërore për të njëjtën periudhë, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e tyre.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës do të hetojë më tej mbi rastin, si dhe për të konstatuar nëse pronari italian i këtij aktiviteti fason është përgjegjës për veprat penale “Fshehje e të ardhurave” dhe “Mashtrim”.

Top Channel