Villas Boas në Kinë, trajneri i ri i Shanghai SIPG

05/11/2016 00:00

Andre Villas Boas emigron në Kinë për të drejtuar skuadrën e Shanghai SIPG në kampionatin e vendit aziatik. Trajneri portugez vetëm 1 ditë më parë arriti akordin me drejtuesit e Shanghait për nënshkrimin e një kontrate që e bën atë një prej teknikëve më të paguar në botë me 13.7 milionë dollarë në vit.

Villas Boas zëvendëson në pankinën e skuadrës kineze, Sven Goran Ericsson dhe për të është një rikthim në detyrën e tij pas largimit nga Zenit në fillim të këtij viti.

Në prezantimin e tij si trajner i Shanghait, Villas Boas deklaroi se do të përballet me një sfidë të re dhe se do të përpiqet që ta drejtojë skuadrën e tij drejt fitimit të titullit kampion.

“Shanghai është një sfidë tjetër në karrierën time”, tha Villas Boas. “Mr.Sui më bindi që të vija këtu dhe t’i bashkohesha projektit të ri. Shpresoj që të realizoj objektivin e SIPG që është fitimi i titullit kampion në Kinë”.

Shangai SIPG e mbylli sezonin në Superligën kineze në vendin e tretë, 12 pikë larg kampionëve të Guangzhou Evergrande dhe do të luajë në fazën e “play off”-it të Ligës Aziatike të Kampioneve për një vend në turneun e vitit 2017.

Top Channel