Gara presidenciale, rriten mbështetjet për Trump

05/11/2016 00:00

Ndërsa sondazhet sugjerojnë se kandidati republikan Donald Trump po i rrit mbështetjet, Hillary Clinton po e përqendron fushatën e saj në shtetet qe konsiderohen të sigurta për demokratet.

Në fakt, tashmë që zgjedhjet janë vetëm pak ditë larg të dyja palët po përpiqen më shumë të bindin përkrahësit e tyre të votojnë se sa të ndikojnë tek të pavendosurit.

Të premten, të dy kandidatët zhvilluan tubime elektorale në Ohajo dhe Pensilvani, dy shtete që mund të rezultojnë vendimtare në 8 nëntor. Në Kliveland të Ohjos, ish-Sekretarja e Shtetit e mbylli ditën e gjatë të fushatës me një koncert, ku performuan ylli i muzikës pop dhe R&B, Beyonce dhe bashkëshorti i saj Jay Z.

“Kemi shumë punë për të bërë, shumë barriera për të tejkaluar dhe me ndihmën tuaj, duhet të thyejmë një tavan të qelqtë, një herë e përgjithmonë”.

Ndërsa i kërkoi turmës së njerëzve të votonte për Clintonin, Jay Z, tha se kandidati republikan ishte përçarës, e se nuk mund të bëhej presidenti i tyre. Koncerti pa bileta, ishte pjesë e një sërë aktivitetesh që synonin nxitjen e komunitetit afro-amerikan të marrë pjesë në zgjedhje. Ndërkohë manjati i pasurive të paluajtshme u tha mbështetësve në Nju Hemshire se rivalja e tij kërkon të rrisë me 550 përqind numrin e refugjatëve të lejuar në SHBA.

“Planet e saj nënkuptojnë më shumë terrorizëm, ekstremizëm dhe radikalizëm të përhapur në shkollat e komunitetet tona”, tha Trump.

Sipas sondazheve, Trump kryeson në Ohajo, ndërsa rivalja e tij prin me një diferencë të lehtë në Pensilvani. Deri më tani, 37 milionë njerëz e kanë thënë fjalën e tyre përmes votimit të hershëm. Autoritetet amerikane parlajmëruan të premten, ër sulme të mundshme terroriste një ditë përpara zgjedhjeve, ku shënjestra të mundshme mund të jene Nju Jorku, Teksasi dhe Virxhinia. Gjithsesi një zëdhënës tha se nuk kishin specifika për kërcënimin dhe se situata po vlerësohej me kujdes.

Top Channel