Lumturimi i martirëve shqiptarë, meshë e shenjtë për 38 priftërinjtë  në Katedralen e Shkodrës

05/11/2016 00:00

Do të ishte Kardinali Angelo Amato, i cili me anë të një letre apostolike të firmosur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, shpalli zyrtarisht të lumturuar 38 martirët e Kishës Katolike shqiptare.

Tashmë, ata nuk i përkasin vetëm Shqipërisë, por nderohen dhe respektohen nga e gjithë bota katolike. Më pas, në Katedrale u bekuan dhe reliket e disa martirëve, pasi një pjesë e tyre, ende nuk u janë gjetur eshtrat.

Në fjalën e tij, Kardinali Amato, vlerësoi Shqipërinë dhe shqiptarët për besimin e tyre në Zot, duke i rezistuar dhe regjimit të egër komunisti.

“Mundimi, martirizimi, lavdërimi. Ky është fati që u ka takuar martirëve shqiptarë. Vuajtjet e tyre paraqesin një faqe tragjike të historisë europiane. Nga njëra anë përndjekësit mizorë, nga ana tjetër martirët e pambrojtur. Shumë vetë në atë stuhi poshtërimi dhe gjaku pyesnin se ku ishte Hyji. Por qenë vetë martirët ata që u përgjigjën se Zoti ishte me ta, i mbështeste në vuajtje, ngjitej në Kalvar me ta, pësonte me ta, qante me ta”, tha Amato.

Nga ana e tij, Arqipeshkvi i Dioqezës Shkoder-Pult dhe njëherëzi kreu i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, Imzot Angelo Massafra, falenderoi Atin e Shenjtë për këtë vlerësim që i bëhet Shqipërisë.

Katedralja e Shkodres ishte shumë e vogël për të pritur qindra mijëra pelegrinët, të cilët që një ditë më parë kishin mbërritur në Shkodër për të qenë pjesë e kësaj meshe të shenjtë.

Të pranishëm në këtë meshë veç mijëra besimtarëve, ishin dhe drejtuesit më të lartë të politikës në vend si dhe përfaqësues të besimeve fetare.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel