Unioni i Gjyqtarëve: Vetting-u antikushtetues. Do kërkojmë shfuqizimin

04/11/2016 00:00

Unioni i Gjyqtarëve del kundër ligjit të Vetting-ut, me arsyetimin se ka papajtueshmëri me Kushtetutën. Në mbledhjen e se premtes pasdite, në prani të gjyqtarëve nga i gjithë vendi, Unioni vendosi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e këtij ligji.

Qëndrimi në Asamble ishte unanim, pas miratimit në Parlament të ligjit të ndryshuar për organet e qeverisjes së drejtësisë.

“Mund të jetë aluduar që Unioni nuk e do reformën apo është kundër saj. Unioni nuk është kundër kontrollit, është pro, por sipas frymës së dispozitave kushtetuese të miratuara me unanimitet në Parlament në korrik të këtij viti. Dhe neve na takon që të dërgojmë mendimet tona sesi do të paraqitet Unioni në seancën gjyqësore që do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese, që ka si objekt kundërshtimin e ligjit për kontrollin dhe vlerësimin e gjyqtarëve”, deklaroi Gerd Hoxha, kryetar i Unionit.

Qëndrim kundër Vetting-ut shprehu edhe kreu i shoqatës së avokatëve, Sajmir Visha, sipas të cilit politika me këtë ligj ka kapur sërish drejtësinë.

“Neve politika na ka mundur. Pushteti ekzekutiv dje ka dalë mbi atë gjyqësor. Nëse ne do të jemi të propozuar, 350 gjyqtarë që ka Shqipëria, 400 prokurorë dhe 10 mijë avokatë, ne e mundim politikën jo me grusht, por me ligj”, deklaroi Visha.

Ligji i Vetting-ut është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka kërkuar edhe një opinion nga Komisioni i venecias.

Top Channel