Shaqiri jashtë Zvicrës

04/11/2016 00:00

Xherdan Shaqiri është mungesa e madhe dhe më e rëndësishme e kombëtares zvicerane të futbollit për ndeshjet e programuara në datat e lira të FIFA-s në muajin nëntor.

Mesfushori ofensiv i Stoke  që është një prej shtyllave të përfaqësueses së trajnerit Petkovic, u duk se do të rikuperohej nga dëmtimi në muskuj, por situata e tij u rëndua më pas edhe nga një grip që ka detyruar stafin mjekësor të mos japë “OK” për aktivizimin.

Kështu “xhuxhi magjik” siç është pagëzuar nga mediat helvetike, nuk do të luajë në ndeshjen e programuar ndaj Ishujve Faroe, në kualifikueset për Botërorin 2018.

“Loja jonë nuk bazohet në vetëm një apo dy lojtarë. Ne na u desh të luanim ndaj Portugalisë pa Shaqirin, në Hungari pa Granit Xhakën dhe ndaj Andorrës Behrami braktisi fushën. Skuadra jonë duhet gjithmonë të plotësojë këto hapësira boshe dhe të jetë gati”, tha trajneri i Zvicrës.
 
Në krahasim me sfidat e kaluara, është rikthyer në kampin helvetik mbrojtësi Johan Djourou, ndërsa ka vend në listë edhe për kosovarin Shani Tarashaj. Ky i fundit është thirrur në çastet e fundit pas dëmtimit të Embolo.

Zvicra kryeson Grupin B të kualifikueseve të Botërorit me 3 fitore në po kaq ndeshje, ndërsa në vendin e dytë është kampionia e Europës, Portugalia.

Top Channel