Kthimet në kufi, Tahiri kërkon informacione nga kryepolici grek

04/11/2016 00:00

Prej dy ditësh në Kakavijë dhe Kapshticë ka një refuzim në rritje të hyrjes së shqiptarëve në shtetin grek.

Shqetësimi është ngritur zyrtarisht nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në takimin me kreun e policisë greke Konstantinos Tsouvalas, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë.

Ministri Tahiri kërkoi nga pala greke respektimin e lëvizjes së lirë në Schengen, sipas dispozitave ligjore në fuqi dhe që të mos kthehen shtetas shqiptarë në kufi pa shkaqe ligjore dhe të motivuara.

Vetëm në 24 orët e fundit në Kakavijë janë kthyer të paktën 60 vetë. E njëjta situatë është edhe në Kapshticë dhe kthimet përkojnë me kohën kur shumë banorë të zonave në jug shkojnë në Greqi për punë sezonale në mbledhjen e ullinjve.

Ministri Tahiri i kërkoi kreut të policisë greke edhe hetime transparente për vdekjet në rajonet e policisë greke të shtetasve Ilia Kareli dhe Pëllumb Marknikollaj.

Ai kërkoi që të respektohen të drejtat themelore të shqiptarëve, pavarësisht faktit nëse janë të arrestuar, si dhe të mos përsëriten më raste të tilla.

Top Channel