Bastet, kundër Trump. Gjithsesi, “bookmakers”-at anglezë ia shtojnë mundësitë

04/11/2016 00:00

Mundësitë që Donald Trump të bëhet president i Shteteve të Bashkuara janë të konsiderueshme, si gjithnjë më pak favorit sesa Clinton, por me një rënie të ndjeshme koefiçentësh, siç tregojnë dhe bastet e vëna për zgjedhjet amerikane.

Zëdhënësja e kompanisë britanike të basteve “Ladbrokes”, Jessica Bridge vëren ndryshime të momentit të fundit.

“Nëse paratë do të vazhdojnë të vërshojnë për Trumpin, siç po ndodh, dhe e gjithë kjo nuk po jep shenja ngadalësimi, ai mund të dalë favorit në kohën kur njerëzit t’u drejtohen të martën qendrave të votimit”, tha Jessica Bridge, zëdhënëse e “Ladbrokes”.

Situata ndryshoi për kandidatin republikan që kur u mësua se Hillary Clinton do të përballet me një hetim të ri të FBI-së mbi “e-mail”-et e dërguara nga serveri privat gjatë kohës kur ishte Sekretare Shteti.

Vënia e basteve për politikën ka fituar popullaritet të madh në Mbretërinë e Bashkuar pas zgjedhjeve të përgjithshme të vendit në vitin 2015 dhe referendumit të këtij viti për shkëputjen nga Bashkimi Europian.

Bridge thotë se, te “Ladbrokes”, gara e sivjetshme për Shtëpinë e Bardhë rezulton ngjarja më e preferuar politike amerikane nga bastvënësit.

Top Channel