Arrestimet në Turqi, opozitarët prokurdë dhe BE-ja i dënojnë

04/11/2016 00:00

Partia prokurde “HDP” në Turqi denoncoi arrestimin e krerëve të saj, si një përpjekje të qeverisë për të çrrënjosur demokracinë.

“HDP” bëri të ditur se arrestimet shënuan një ditë të zezë për vendin, ndërsa mbështetës të shumtë të kësaj force politike dolën në rrugë për të protestuar dhe u ndeshën me policinë.

Dy udhëheqësit e “HDP”-së, Selahattin Demirtas dhe Figen Yuksekdag, akuzohen se kanë bërë propagandë për militantët që luftojnë kundër shtetit turk. Ata dhe 10 aktivistët e tjerë të arrestuar të “HDP”-së kanë mohuar çdo lidhje me grupin rebel kurd “PKK”.

Të gjithë ata u arrestuan, sepse refuzuan që t’u përgjigjeshin pyetjeve të prokurorëve për këto akuza.

E ndërsa policia përleshej me protestues të shumtë në Stamboll, Ankara dhe qytete të tjera për shkak të arrestimeve, zyrtarë të “HDP”-së thanë se qeveria turke kërkon t’i japë fund Parlamentit dhe të krijojë një Turqi autoritare pa opozitë demokratike.

Arrestimet e krerëve kurdë u dënuan ashpër nga BE-ja dhe Gjermania. Zyrtarë europianë shprehën shqetësimin e tyre për situatën dhe thanë se, me arrestimin e opozitës, Turqia s’mund të jetë në rrugën drejt BE-së.

Disa orë pas arrestimit të Demirtas dhe krerëve të tjerë kurdë, një bombë shpërtheu në qytetin Diyarbakir, duke vrarë 9 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Demirtas ka marrë mjaft mbështetje ndërkombëtare për politikat e tij liberale, por kritikët thonë se nuk ka arritur ta distancojë sa duhet partinë e tij “HDP” nga partia e shpallur e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit.

Top Channel