Rusi, përurohet monumenti i adashit të Putinit përpara Kremlinit

04/11/2016 00:00

Kremlini ka tashmë një Vladimir brenda dhe një tjetër që qëndron jashtë tij. Presdienti rus, Vladimir Putin zbuloi monumentin e Princit Vladimiri i Madh, ndërsa u bëri thirrje rusëve që të bashkohen përballë sfidave të jashtme, siç bëri adashi i tij 1.000 vite më parë.

Monumenti 17 metra i lartë për Vladimirin e Madh, sundimtari i shekullit të X që adoptoi fenë ortodokse për njerëzit e tij, ka shkaktuar mjaft debat. Jo vetëm për përmasat, por edhe për pretendimet ruse të një figure që, edhe Ukraina e konsideron si themeluesin e shtetit të saj.

Presidenti Putin tha se Vladimiri i Madh krijoi themelet morale, mbi të cilat bazohen jetët e rusëve edhe sot, ndërsa shfrytëzoi rastin për t’i kërkuar besnikëri kombit.

“Sot është detyra jonë të qëndrojmë bashkë, përballë sfidave bashkëkohore dhe kërcënimeve, duke përdorur trashëgiminë tonë shpirtërore dhe traditat tona të çmuara të unitetit, për të ecuar përpara duke vazhduar historinë tonë 1.000-vjeçare”, deklaroi Putin.

Presidenti rus u shoqërua në ceremoni nga shumë udhëheqës politikë dhe fetarë të vendit, të cilët gjatë fjalimeve nuk përdorën kurrë termin Kiev, pavarësisht se Vladimiri i Madh sundoi mbi atë që quhej shteti “Kievan Rus”.

Por përfaqësues të fesë ortodokse në ceremoni thanë se, pasardhësit e Vladimirit jetojnë sot në shumë shtetet dhe është për të ardhur keq, që kanë harruar se kanë të njëjtin baba. Televizioni rus përsëriti disa herë se, ky është monumenti i parë për Vladimirin e Madh, duke harruar se një i tillë gjendet në Kiev.

Nuk kanë munguar as kritikët, që thonë se statuja shërben si një paralelizëm mes asaj që bëri Vladimiri i 1.000 viteve më parë dhe përpjekjeve të Vladimirit aktual për të rikthyer lavdinë e dikurshme ruse.

Top Channel