Ku po ikën Fufi? Deputeti i Lezhës bashkoi votat me mazhorancën

04/11/2016 00:00

Edhe kryetari i ri i KQZ-së, edhe ligji i fundit i reformës në drejtësi mund të miratoheshin mbrëmjen e së enjtes pa votën e deputetit demokrat, Mhill Fufi. Por ai qëndroi si i vetmi deputet i opozitës mes anëtarëve të tjerë të koalicionit qeveritar.

Për Partinë Demokratike kjo ishte një surprizë, edhe pse Mhill Fufi kishte shfaqur pakënaqësi ndaj largimit të një të afërmi nga struktura drejtuese e degës së Mirditës. Por kjo arsye që qarkullon në selinë e opozitës, nuk duket e mjaftueshme për të thyer një vendim të rëndësishëm grupi, një akt që Mhill Fufi nuk e bëri kur Lulzim Basha i përjashtoi vëllain, Ilir Pjetraj, nga kandidimi për Bashkinë e Laçit. Ky është i njëjti që ambasadori amerikan e renditi tek emrat e larguar nga politika si pasojë e dekriminalizimit.

Top Channel komunikoi me deputetin Mhill Fufi paraditen e së premtes, por ai nuk pranoi të komentojë as përse mori pjesë në votim bashkë me mazhorancën, as sesi e priti përjashtimin e menjëhershëm nga Partia Demokratike.

Por pasojat e veprimit të tij suprizë mbeten. Partia Demokratike është me një deputet më pak, megjithatë, pyetja më e rëndësishme mbetet a është Partia Socialiste me një deputet më shumë?

Nëse po, për çfarë mund t’i duhet një deputet më shumë mazhorances zyrtare prej 84 deputetësh? A është largimi i Mhill Fufit një paralajmërim se marrëdhënia brenda koalicionit qeveritar nuk është ajo që duket?

Derisa këto pyetje të marrin një përgjigjje, përjashtimi i Mhill Fufit nga Partia Demokratike është një mesazh i fortë për deputetët e tjerë në prag të një vendimi të mundëshëm të Partisë Demokratike; bojkotin përfundimtar të Parlamentit.

Top Channel