Antidroga, drejtuesit e policive shqiptare e greke takohen në Janinë

04/11/2016 00:00

Përforcimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimit ndërkufitar, trafikimit të drogës dhe emigracionit të paligjshëm kanë qenë temat kryesore të një takimi të nivelit të lartë të zyrtarëve të Policisë së Shqipërisë dhe Greqisë, zhvilluar në qytetin e Janinës në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkufitar midis dy shteteve.

Midis përfaqësuesve të palës greke ndodhej edhe shefi i përgjithshëm i Drejtorisë së Policisë së Epirit, Konstandinos Skouma bashkë me drejtorin e policisë së Janinës, Joani Vasilaki ,ndërsa grupin shqiptar kryesonte drejtori i policisë së Gjirokastrës, Arian Feri, i cili shoqërohej edhe nga drejtori i Policisë Kufitare të Gjirokastrës, Arben Nikolla dhe zyrtarë të tjerë.
 
Në takim është theksuar se vetëm në sajë të bashkëpunimit dypalësh janë arritur sukese të rëndësishme në eleminimin e grupeve kriminale dhe atyre të trafikimit të lëndëve narkotike, ndërkohë që vetëm në muajt e fundit janë konfiskuar në territorin grek, jo vetëm sasi të mëdha hashashi që kanë ardhur nga Shqipëria, por dhe sasi heroinë dhe kokainë, të cilat kishin destinacion jo vetëm Geqinë por edhe vendet e Europës Qendrore.

Shtypi grek thekson se orët e fundit në Shqipëri janë asgjësuar sivjet mbi 2.5 milionë rrënjë kanabis sativa, katër herë më tepër se në vitin e kaluar.
 
Zyrtarët e policive të të dy shteteve kanë shprehur dëshirën për të përmirësuar më tej marrëdhëniet në këtë sektor në fusha me interes të përbashkët.

Top Channel