Yaya Toure kërkon falje: Dua më të mirën për Man.City

04/11/2016 00:00

Yaya Toure kërkon të vendosë paqen me Manchester City. Prej kohësh futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka qenë në qendër të polemikave të shumta për shkak të përplasjeve mes agjentit të tij Dimitri Seluk dhe trajnerit Guardiola. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Yaya Toure kërkon falje për gjithçka ka ndodhur këto javë.

“Dua t’i kërkoj falje stafit teknik dhe atyre që punojnë për Manchester City në emrin tim dhe të atij që më përfaqëson”, shkruhet në mesazhin e Toure. “Ato deklarata nuk janë këndvështrimi im për skuadrën e personat që punojnë në klub”.

Në muajin shtator, Toure, u përjashtua nga lista e Champions dhe përfundoi madje edhe jashtë skuadre, një situatë që shkaktoi zemërim te Seluk, i cili në ditët e fundit e përkufizoi Guardiola-n si të keqen e Manchester City. Por jo vetëm kaq, Seluk theksoi se Guardiola është një trajner që preferon të luajë me fëmijë dhe se nuk tregon respekt. Ndërsa, Guardiola e bëri të qartë se nëse Seluk nuk do të kërkonte falje, Toure nuk do të kishte më vend në skuadër. Në median britanike u fol shumë për Toure që ishte gati të shuante gjithçka dhe si përfundim, futbollisti doli me këtë mesazh paqeje.

“Kam respekt për Manchester Cityn dhe i uroj më të mirën”, vijon në mesazhin e tij Toure. “Jam krenar që u bëra pjesë së historisë së këtij klubi dhe dua ta ndihmoj që të arrijë suksese të tjera”.

Ndërkaq, reagoi edhe vetë agjenti i Toure, Dimitri Seluk, i cili ndoqi shembullin e klientit të tij duke kërkuar ndjesë në një intervistë për “Daily Mirror”. Seluk theksoi se kishte folur me Toure për këtë  çështje dhe vendosi që të kërkojë falje për të mirën e Manchester City.

Top Channel