Luftëtari-Partizani, gjirokastritët kënaqen me pak

04/11/2016 00:00

Luftëtari pret Partizanin të shtunën në orën 14:00 në stadiumin “Gjirokastra” që hap dyert për herë të parë gjatë këtij sezoni. Bluzinjtë që konsiderohen surpriza e këtij sezoni e nisën aventurën në Kategorinë Superiore pikërisht ndaj skuadrës kryeqytetase në Elbasan, ku u mundën pas një 11-metërshi në fund të ndeshjes.

Trajneri Mladen Milinkovic i njeh shumë mirë cilësitë e kundërshtarir, por ai kërkon që skuadra të tregohet e kujdesshme për të mos dalë pa pikë në sfidën e parë sezonele përpara tifozëve gjirokastritë.

“Në çdo ndeshje ne luajmë për të fituar. Edhe në ndeshjen e parë kundër Partizanit e bëmë një gjë të tillë, por ishim të pafat në Elbasan. Tani është një ndeshje tjetër. Ne luajmë për herë të parë në shtëpi dhe shpresoj të zhvillojmë një ndeshje pozitive për të arritur te një rezultat pozitiv. Unë nuk luaj asnjëherë për barazim, por nëse do të firmosja për një pikë do të isha i kënaqur sepse Partizani në 5-6 ndeshjet e fundit nuk ka pësuar humbje, prandaj për ne një barazim mund të jetë pozitiv”, deklaron ai.

Me 10 pikë në 9 ndeshjet e para, skuadra jugore ka kaluar çdo pritshmëri edhe për faktin se gjatë xhiros së parë të Superiores nuk zhvilloi asnjë ndeshje në shtëpi. Gjithsesi, trajneri serb kërkon që ekipi të mos e ulë përqëndrimin pasi në futboll situatat ndryshojnë shpejt.

“Deri në këto momente jam shumë i kënaqur por kjo nuk do të thotë asgjë sepse duhet të arriijmë të grumbullojmë 10 apo më shumë pikë edhe në fazën e dytë. E di shumë mirë kush jam. Për çdo trajner është një ndihmë e madhe fakti që arrin rezultate pozitive. Gjithsesi, në futboll nëse nuk arrin rezultate, opinioni ndryshon menjëherë. Shikoni Mourinhon, ai është një trajner shumë i mirë por gjatë muajve të fundit ka shumë probleme pasi nuk arrin të marrë rezultate. Në vendin tim në Serbi, gjatë një faze një skuadër mund të ndryshojë 5-6 trajnerë. E nisëm sezonin mes shumë vështirësive. Nuk ishim në forman e duhur fizike, luajtëm jashtë shtëpisë por këta djem që kam në dispozicion kanë bërë një punë të mirë dhe unë jam shumë i lumtur për punën që kemi bërë”, thotë Milinkovic për SuperSport.

Në fund të intervistës ekskluzive dhënë për mikrofonin e Supersport, trajneri i Luftëtarit shton se do të ishte i lumtur nëse në ndeshjen e së shtunës skuadra do të mbështetej nga një numër i madh tifozësh, ndërsa nuk mungon një koment i tij edhe për cilësinë e futbollit në vendin tonë.

“Mendoj se në Shqipëri ka shumë ekipe të mira me shumë talente. Shikoni Teutën, është një skuadër tërësisht me elementë të rinj. Ky fakt është pozitiv edhe për Kombëtaren Shqiptare të futbollit që gjatë viteve të fundit ka arritur rezultate shumë të mira”, deklaron ai.

Top Channel