“Hillary Clinton është antipatike në radhët e FBI-së”

04/11/2016 00:00

Burime të shumta të Byrosë së Hetimit në Shtetet e Bashkuara kanë rrëfyer për gazetën “The Guardian” se në radhët e FBI-së ekziston një antipati e thellë për Hillary Clinton, nga e cila rrjedh  edhe dashakeqësia për të dëmtuar fushatën e saj vetëm disa ditë para zgjedhjeve.

Zyrtarë aktualë dhe ish-punonjës të FBI-së, ku asnjëri prej të cilëve nuk pranoi që të fliste publikisht, thonë se rihapja e hetimit për zonjen Clinton erdhi si pasojë e një klime kaotike te brendshme. Një agjent aktual e ka cilësuar FBI si “toka e Trump”, ose thënë ndryshe si “Trumpland”.  “FBI është një Trumpland”, tha ai.

Por kjo antipati për Hillary Clinton, rrënjët e së cilës nuk dihet se nga vijnë, ngre pyetjen sesi do të jenë marrëdhëniet mes shefit të FBI-së, James Comey dhe ish-Sekretares së Shtetit, nëse kjo e fundit zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë.

“Ka shumë njerëz që nuk mendojnë se Trump është i kualifikuar mjaftueshëm për të qenë President, por nga ana tjetër besojnë se Clinton është një nga kandidatët më të korruptuara për President”, tha një ish-zyrtar i FBI-së, i cili shtoi që këtë herë votuesit janë përballë dy zgjedhjeve shumë të vështira; një të paafti dhe një politikani të korruptuar. 

Një furtunë reagimesh ka shpërthyer kundër James Comey, duke filluar nga Presidenti Obama dhe dhjetra përfaqësues demokratë, duke e akuzuar atë për ndikim në zgjedhje. Por ky i fundit ka ruajtur qetësinë, edhe pse Clinton dhe Trump i kanë bërë thirrje Byrosë që të tregojë gjithçka di.

Fox News i ka shkuar edhe më thellë. Ata raportojnë se FBI jo vetëm po heton emailet e kandidates demokrate, por edhe fondacionin e saj, “Clinton Foundation” mbi mënyrën sesi ky i fundit merr fonde dhe donacione nga e gjithë bota.

Top Channel