NBA, Golden State mund Oklahoma-n

04/11/2016 00:00

Golden State-Oklahoma ishte supersfida e raundit të radhës në kampionatin e NBA, ku vëmendja më e madhe ishte e përqendruar tek sfida personale mes Kevin Durant dhe Russell Westbrook që deri në fundin e sezonit të kaluar ishin shokë skuadre. Një duel ky që u fitua nga Durant, i cili dha kontributin e tij në fitoren e Golden State ndaj Thunder me rezultatin 122-96.

Kevin Durant e mbylli këtë sfidë me 39 pikë, 21 nga të cilat i shënoi nga distanca e 3 pikëve. Stephen Curry u ndal në kuotën e 21 pikëve, ndërsa Russell Westbrook ngushëllohet vetëm me faktin që shënoi 20 pikë dhe dha 10 asist në këtë përballje.

Cleveland vazhdon ecurinë pozitive në NBA duke regjistruar një tjetër fitore. Viktima e radhës për skuadrën nga Ohio u bë Boston Celtics ndaj të cilit Cavaliers fitoi 125-122. Në Quicken Loans Arena, Cleveland ishte një mur i pakalueshëm  dhe vendimtar për këtë skuadër ishte i zakonshmi LeBron James me 30 pikë e 12 assist. Bënë  një paraqitje të shkëlqyer edhe Kevin Love me 26 pikë e Kyrie Irving me 23. Për Boston nuk mjaftuan 30 pikët e Tomas për të evituar disfatën.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Milwaukee mundi Indianën 125-107, Orlando fitoi me Sacramenton 102-94, ndërsa Denver mposhti Minnesotën 102-99.

Top Channel