Në mbrojtje të votës nga Rusia

04/11/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë angazhuar të gjitha agjencitë e sigurisë për të parandaluar rrezikun e ndërhyrjes së hakerave rusë në zgjedhjet presidenciale të së martës.

Një burim nga Shtëpia e Bardhë i tha NBC News, se plani për mbrojtjen e zgjedhjeve nga sulme të mundshme kibernetike që mund të vijnë nga Rusia, po drejtohet nga Departamenti i Sigurisë së Kombëtare dhe në të janë angazhuar të gjitha agjencitë e sigurisë, përfshirë këtu FBI, CIA dhe NSA-në.

Në skenarin më të keq, sipas zyrtarëve amerikanë, hakerat rusë mund të nxjerrin jashtë përdorimit pjesërisht një pjesë të internetit, ngjashëm siç ndodhi në ditët e fundit të tetorit, ku sulmet nxorrën jashtë përdorimit faqe të mëdha, si Twitter, Spotify dhe PayPal.

Një tjetër skenar, më pak me pasoja sipas zyrtarëve, është edhe publikimi i informacioneve të rreme në internet, që mund të dëmtojnë njërin apo tjetrin kandidat në zgjedhje, pa u dhënë kohë vetë atyre dhe mediave që t’i dokumentojnë këto informacione.

Në tetor, Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë se qëndronte pas ndërhyrjes në serverat dhe dokumentat e Partisë Demokratike, që çuan në publikimin e dhjetra mesazheve të postës elektronike të Hillary Clinton.

Top Channel