Aplikimet pronësore dhe biografike të Arkivave i kalojnë Postës Shqiptare

04/11/2016 00:00

Prej datës 21 nëntor, të gjitha kërkesat për dokumente pronësore dhe biografike që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit dhe Arkivat Shtetërore Vendore do të kryhen në Postën Shqiptare, sipas praktikës ndërkombëtare arkivore të “kërkimit me pagesë”.

Marrëveshja është firmosur mes drejtorit të përgjithshëm të Arkivave, Ardit Bido dhe atij të Postës Shqiptare, Majlind Lazimi.

Sipas kësaj marrëveshjeje aplikimi për këto dokumente do të kryhet në të gjitha pikat e autorizuara të postës, dhe përgjigja do u kthehet qytetarëve 23 ditë pas aplikimit në të njëjtën pikë poste ku ka aplikuar.

“Filozofia e Arkivave parashtron se arkivat janë të hapura për këdo që dëshiron t’i shfrytëzojë, por lehtësojnë dhe ofrojnë shërbim në shtëpi për cilindo individ të cilit i nevojiten arkivat. Ky ndryshim rrënjësor vjen në përputhje me prioritetet kyçe të qeverisjeve shqiptare, që është transparenca, lufta ndaj korrupsionit, i cili shmanget kur qytetari dhe specialisti kërkues nuk kanë kontakt të drejtpërdrejtë, si edhe shërbimi i shpejtë dhe cilësor ndaj qytetarëve. Nga ana tjetër, kjo marrëveshje mundëson që burimet njerëzore të arkivit t’i japin peshën e nevojshme shërbimit ndaj studiuesve, gjë që, për shkak të specifikave të deritanishme, ishte lënë pas dore”, u shpreh kreu i Arkivave, Dr. Ardit Bido.

Kjo reformë e shërbimit të dokumenteve me karakter social-juridik në dobi të qytetarëve parashikon që qytetarët duhet të plotësojnë formularin e aplikimit në Postë, të shlyejnë pagesën e tarifës së “kërkimit me pagesë”, si dhe të dorëzojnë dokumentet bashkëlidhur. Përgjigja do të jepet në afat standard prej 23 ditësh, në mënyrë që të mos ketë përshpejtim abuziv të kërkesave të diferencuara për qytetarë të ndryshëm. Tarifat e shërbimit janë të njëjta si më parë, ndërkohë që qytetarëve do t’u ulen kostot e transportit dhe do t’u kursehet ardhja në zyrat e Arkivit Qendror Shtetëror apo ato të Arkivave Shtetërore Vendore, teksa shërbimin, tashmë, do ta marrin pranë shtëpisë.

Top Channel