Skandali në Kore, presidentja në shënjestër të akuzave

04/11/2016 00:00

Është vënë në shënjestër të një skandali që kërcënon lidershipin e saj, por presidentja koreanojugore Park Guen Hye mohoi publikisht se kishte rënë viktimë e një kulti fetar. Gati në lot, ajo kërkoi falje në një fjalim televiziv, për faktin se kishte lejuar një mikeshën e saj të ndërhynte në politikëbërje.

Presidentja refuzoi të dorëhiqej, ashtu siç kërkon opozita, por pranoi të merrej në pyetje lidhur me çështjen. Mikesha e ngushte e Park, 60 vjeçarje Choi Soon-sil, dyshohet se ka shfrytëzuar afrimitetin me presidenten, për të siguruar akses në dokumente të klasifikuara qeveritare, e për të përfituar donacionin për një fond të kontrolluar prej saj. Gruaja është arrestuar dhe përballet me akuza për mashtrim dhe abuzime.

“Ka pretendime se unë jam bërë viktime e një kulti fetar, por dua të sqaroj se nuk është aspak e vërtetë”.

Ajo tha kishte besuar verbërisht në një marrëdhënie personale, pa vënë re atë që po ndodhte dhe kërkoi ndëshkimin e fajtorëve.

“Çdokush që do të shpallet fajtor do të ndëshkohet. Nëse është e nevojshme, unë jam e vendosur të lejojë hetime kundër meje”.

Skandali ka çuar në rënien e ndjeshme të popullaritetit për Park dhe tani ata që e mbështesin janë vetëm 5 përqind. Ajo ka zëvendësuar kryeministrin, ka riorganizuar kabinetin dhe ka shkarkuar disa këshilltarë. Por gjithsesi kori i thirrjeve për dorëheqjen apo gjykimin e saj nuk është zbutur. Choo Mi-ae, lidere e partisë kryesore opozitare, asaj demokratike tha se nuk besonte në shfajësimin e presidentes dhe i kërkoi të pranonte një kryeministër të ri të rekomanduar nga parlamenti. Park u bë presidentja e parë grua në vitin 2012.

Top Channel