Tiranë, sekuestrohen 11 kallëpe tritol. Arrestohen dy persona

03/11/2016 00:00

Agjentë të Policisë së Tiranës kanë mundur të arrestojnë në flagrancë dy shtetas, si dhe të sekuestronin 11 kallëpe me lëndë eksplozive të dyshuar tritor, gjë që sipas njërit të të ndaluarve ishte marrë në aksin Fushë Krujë-Laç dhe kishte për destinacion Tiranën, sipas porosisë.

Operacioni i koduar me emrin “Dërgesa” ka shtënë në pranga shtetasit Ndue Bushati, 27 vjeç nga Mamurrasi, si dhe Maliq Lika, 24 vjeç nga Laçi, me këtë të fundit të dënuar më parë edhe për “vjedhje”. Ndalimi i tyre është bërë në vendin e njohur si “kthesa e Valiasit”, pranë një karburanti.

Policët e Komisariatit nr. 5 konstatuan shtetasin Ndue Bushati teksa lëvizte në këmbë dhe mbante një qese me vete, por lëvizjet e tij kanë lënë dyshime për uniformat blu, të cilët e kanë ndaluar. Atij iu sekuestruan 11 kallëpe tritoli me peshë 450 gramë njëra, të cilën ia kishte marrë shtetasit Maliq Lika në aksin e sipërpërmendur.

Pas kontrolleve ndaj shtetasit të dytë, Lika, u gjetën edhe 85 fishekë model 56, ndërkohë që po hetohet për destinacionin e lëndës plasëse të dyshuar. Për të arrestuarit, materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së Shkallës së Parë në Tiranë, për veprën “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Top Channel