“Djajtë” digjen në “ferrin” turk, romakët “pushtojnë” Vjenën

03/11/2016 00:00

Nuk ka qetësi për Jose Mourinhon. Skuadra e tij nuk po arrin të fitojë as në Europa League. “Djajtë” u mposhtën në Stamboll nga Fenerbahce me rezultatin 2-1. Gjërat sa vijnë e përkeqësohen për Moun pasi Pogba u dëmtua në pjesën e parë duke lënë fushën.

Fenerbahce shënoi shumë shpejtë. Ata kaluan në epërsi në minutën e dytë me një perlë të Sow që me një roveshatë nga 15 metra mposhti De Gean. Edhe goli i Lens për 2-0 ishte i jashtëzakonshëm. Holandezi shënoi nga 23 metra kur ekzekutoi perfekt një goditje dënimit. Golin e vetëm për United e shënoi kapiteni Ronney, që edhe ai nga 25 metra distancë realizoi për 2-1.

Në takimin tjetër të Grupit A, Feyenoord barazoi 1-1 në transfertë ndaj Zoryas. Pas 4 ndeshjes, holandezët janë liderë të grupit më 7 pikë, aq sa ka edhe Fenerbahce e dyta, ndërsa United është në vendin e tretë me 6 pikë, ose katër më shumë se Zorya e fundit.

Edin Dzeko udhëhoqi skuadrën e tij Roma drejt një triumfi shumë të rëndësishëm ndaj Austrisë së Vjenës. Skuadra e Spallettit fitoi 4-2 falë dopietës së boshnjakut dhe golave të De Rossit dhe Nainggolan. Në takimin tjetër të këtij grupi, Astra dhe Plzen barazuan 1-1 me Ergys Kaçën që u aktivizua për 60 minuta për skuadrën mike.

Sassuolo lëshoi një mundësi të artë për të marrë tre pikë të reja ndaj Rapid Vjenës. Ndeshja ishte 2-0 për italianët deri në minutën e 86, kur miqtë shënojnë golin e parë dhe pas 4 minutash edhe atë të barazimit. Genk ndërkohë u mposht 5-3 në Spanjë nga Bilbao.

Në ndeshjet e tjera të orës 19:00, Zenit Pertersburgu fitoi 2-1 ndaj Dundalk, ndërsa Maccabi Tel Aviv barazoi 0-0 në shtëpi me holandezët e AZ Alkmaar. St. Etienne mori një fitore 2-1 në transfertën ndaj Gabala.

Anderlecht fitoi 6-1 në shtëpi ndaj gjermanëve të Mainz, ndërsa APOEL fitoi 1-0 ndaj Young Boys. Në shifrat 1-1 u mbyll edhe sfida mes Astanas dhe Olympiakosit.

Top Channel