Bylykbashi: 104 amendamente fshehtas në Kuvend nga Rama për të kapur Drejtësinë

03/11/2016 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi akuzoi mazhorancën se ka depozituar në Parlament 104 amendime për reformën në drejtësi, të gjitha pa dijeninë e opozitës.

“Dje pasdite është depozituar në Parlament një draft me 104 amendamente për këtë ligj. Një ligj i pamiratuar që ka më pak se 300 nene, amendohet nga një deputet i vetëm me 104 amendamente të tjera. Kjo është jo vetëm skandaloze sepse tregon shumë qartë se ëfarë konsiderate keni ju për Komisionin Parlamentar për Reformën në Drejtësi. Për ju nuk ka rëndësi sepse doni ta ndryshoni më pas ëdo gjë që bëhet me konsensus apo jo për mbi të gjitha ka një shkelje shumë të rëndë të procedurës. Rregullorja e Kuvendit parashikon që amendamentet paraqiten jo më vonë 24 orë nga seanca e debatit dhe miratimit. 24 orë kanë qënë në datën 5 tetor, seanca ka qënë në datën 6 tetor dhe paraqitja e 104 amendamenteve sot, me firmën e një deputeteje është në kundërshtim me rregulloren. Për rrjedhojë, këto amendamente duhet të tërhiqen menjëherë, ose projekligji duhet të shkojë për rishqyrtim në Komisionin e Reformës në Drejtësi”, tha Bylykbashi.

Sipas deputeti demokrat, kjo është një përpjekje e mazhorancës për të kapur Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë.

“Po kërkohet që të futet një komision ad hoc i cili do të filtrojë të gjithë kandidaturat që kanë të drejtë të konkurojnë për anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqsor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Është antikushtetuese sepse Kushtetuta nuk e parashikon. Jeni duket e kthyer në versionin famëkeq të vitit 2015”, tha ai.

Sipas Bylykbashit, ky variant është rrëzuar më parë nga Komisioni i Venecias.

Top Channel