Kalon “qeveria” e Drejtësisë, “kurban” Fufi. Biba, kryetar i KQZ-së

03/11/2016 00:00

Ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë, i mbetur pezull që prej 6 tetorit, ndryshoi, por pa konsensusin e opozitës.

Partia Demokratike kundërshtoi si plotësisht antikushtetuese disa ndryshime të paraqitura nga Vasilika Hysi, që ngrejnë një organ filtrues për kandidatët jogjyqtarë dhe joprokurorë, përpara se ata të kalojnë për verifikim nga Parlamenti.

“Deputetët sot nuk kanë mundësi të bëjnë debat mbi 104 amendamente që paraqiti sot deputetja në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Oerd Bylykbashi.

Opozita kërkoi shqyrtimin e amendamenteve në Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi, por mazhoranca nuk e pranoi.

“Ka qenë një kërkesë e vazhdueshme edhe e partnerëve ndërkombëtarë. Nuk bëj gabim po të them edhe këmbënguljes së tyre për të bërë këtë reflektim. Ne e kemi bërë dhe sot, amendamentet që janë paraqitur nga deputetja, janë amendamente të punuara me ekspertët e EURALIUS-it dhe të OPDAT-it”, tha Fatmir Xhafaj.

Ligji më voluminoz i Reformës në Drejtësi u votua me 87 votat e mazhorancës, pa praninë e opozitës.

Surpriza e votimit ishte pjesëmarrja e deputetit demokrat Mhill Fufi. Mësohet se ai është i pakënaqur nga disa vendime organizative të kryetarit Basha dhe nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar demokrat.

Parlamenti votoi me 73 vota Denar Bibën si kryetar i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dhe në të njëjtën seancë ai u betua. Kjo do të thotë se vendi i nënkryetarit të KQZ-së është bosh dhe ai pritet t’i kalojë opozitës.

Top Channel