Beteja për Mosulin, trupat irakiane futen në lagjen “Intisar”

03/11/2016 00:00

Forcat irakiane kanë hyrë për të parën herë, në më shumë se dy vite, në Mosulin e kontrolluar nga ISIS-i, e janë përfshirë në luftime të ashpra me militantët e Shtetit Islamik.

Burime nga Ministria irakiane e Mbrojtjes i thanë CNN-it se, njësitë e divizionit të 9 kanë mësyrë lagjen lindore “Intisar”. Depërtimi atje shihet si zhvillimi më i rëndësishëm i ofensivës së nisur dy javë më parë për çlirimin e qytetit të dytë më të madh të vendit nga sundimi brutal i ISIS-it.

Një pjesë e banorëve, megjithatë, thonë se përsa kohë militantët vazhdojnë ta kontrollojnë kryeqendrën e provincës, mund të mos ketë siguri. Popullsia civile është bllokuar në zonat e luftimeve, ndërsa trupat ushtarake po luftojnë nëpër rrugë me ithtarët e grupit ekstremist.

Ky i fundit nxori më herët një kasetë audio, e regjistruar sipas tij nga kreu i grupit, Abu Bakr al-Baghdadi, ku mbështetësit e ISIS-it nxiteshin të mos braktisnin pozicionet e tyre gjatë avancimit të forcave qeveritare. Regjistrimi nuk është verifikuar ende, por analistët besojnë se mund të jetë autentik.

Top Channel