Replikat me Athinën, Baze: Asnjë axhendë nacionaliste; Zogaj: Kryeministri, jo në rresht të parë

03/11/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama shpërtheu siç kishte premtuar ndaj sulmeve që i kanë ardhur nga Athina për zhvillimet në Himarë. Duke anatemuar të shkuarën, kur shqiptarët detyroheshin të ndërronin emrin, ai paralajmëroi se kjo epokë kishte marrë fund dhe se në Himarë do të këndohet vetëm shqip. Ai akuzoi drejtpërdrejt Vangjel Dulen se qëndron prapa ngjarjeve në Himarë, të cilat – siç tha ai, – po i përdor për të bllokuar hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Por për analistët, retorika e kryeministrit nuk është nacionaliste. Afrimi i zgjedhjeve politike në vend, por edhe mundësia e zgjedhjeve politike në Greqi, duket se akomodojnë sipas komentatorëve, këtë rritje temperature në deklaratat mes dy vendeve.

Mero Baze: Në thelb nuk kanë, ose nuk përmbajnë thelbin e problemeve shqiptaro-greke. Shqipëria dhe Greqia kanë mjaft probleme me njëra-tjetrën. Kanë probleme të historisë, probleme të ristrukturimit të plagëve të saj, të gjenocidit çam, të ligjit të luftës.

Preç Zogaj: Është shproporcionale si retorikë, në të dy krahët mund të them, në raport me problemet që ekzistojnë midis dy vendeve.

Mero Baze: Edi Rama, natyrisht që ka një serbesllëk – do ta thoja unë, – në raport me Greqinë, edhe si tip politikani. Ndoshta është politikani më pak i ndikuar nga raportet me Greqinë në karrierën e tij politike. Situata e tij elektorale dhe fakti, që Edi Rama e di mirë se kush ia bën këtë; pasi nuk është një gjë që vjen nga Greqia, por është një gjë që shkon nga Shqipëria në Greqi dhe kthehet prej andej me postë; e ka nervozizmin me këta që i postojnë këto gjëra në Greqi dhe i kthejnë prej andej ato si gjëra të Athinës. Pra, Edi Rama e di që nuk është duke folur me Athinën. Di që është duke folur me këta që ia çojnë gjërat Athinës.

Preç Zogaj: Unë do të doja që kryeministri të mos ekspozohej në vijën e parë. Nuk do të pëlqeja, që të jetë kryeministri ai që të flasë, të jetë protagonist në këto lloj deklaratash. Nëse ka një plan që na çon drejt heqjes së ligjit të luftës, të na e thotë. Ne mbështesim kryeministrin e vendit tonë.

Mero Baze: Ka një afrim të fortë të Partisë Socialiste (PSSH) me partinë e komunitetit çam në Shqipëri (PDIU), e cila ngjall nervozizëm në Greqi. Pra është një situatë elektorale në Shqipëri, ku PS-ja është më afër me PDIU-në, ndërsa PBDNJ-ja po shkon më afër me opozitën. Dhe e gjitha kjo ka prodhuar këtë tension, që është në nivelet e ulëta në Greqi, nuk është në nivelin e qeverisë greke.

Preç Zogaj: Unë mendoj që e majta greke nuk e ka në favor, sepse e majta greke nuk është shumë nacionaliste, në kuptimin e mbylljes në ato skemat e nacionalizimit të vjetër, por as e jona jo.

Top Channel