“Brexit”, Steinmeier: Procesi mund të vijojë pavarësisht vendimit të gjykatës

03/11/2016 00:00

“Brexit”-i, sipas ministrit të Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, me shumë gjasë do të vazhdojë si proces, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar, që detyron qeverinë të konsultohet me Parlamentin përpara se të aktiviziojë nenin 50 të Traktatit të Lisbones, për shkëputjen nga blloku europian.

“Mund të ketë një apel në Gjykatën Supreme”, tha kreu i diplomacisë gjermane, ndaj ka mundësi që ky të mos jetë vendimi përfundimtar.

“Kjo është arsyeja përse këmbëgulëm që evokimi i artikullit 50 të realizohet sa më shpejt që të jetë i mundur. Mendoj se, pas zhvillimeve të fundit në Britaninë e Madhe, kjo duhet të ndodhë nga fillimi i vitit që vjen, në mënyrë që edhe negociatat të nisin sa më parë”, tha Frank-Walter Steinmeier, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Vendimi i gjykatës e pengon ekzekutivin britanik ta aktivizojë nenin i vetëm. Edhe nëse nuk e pengon shkëputjen e Britanisë nga BE-ja, siç vendosi 52% e zgjedhësve në referendumin e muajit qershor, ai padyshim e ngadalëson procesin, duke i dhënë një grusht të fortë planit të kryeministres Theresa May për ta vënë në lëvizje mekanizmin e largimit përpara fundit të marsit.

Nëse vendimi i gjykatës nuk përmbyset, May mund të detyrohet t’i parashtrojë Parlamentit një strategji të detajuar të negociatave të shkëputjes. Deri tani, kryeministrja ka ngurruar ta hedhë këtë hap, pasi mendon se në këtë mënyrë do të pengohet fleksibiliteti i saj në bisedime dhe Britania mund të mos sigurojë marrëveshjen më të mirë të mundshme.

Top Channel