Ishujt Kuril, Rusia: S’ka kalim sovraniteti tek Japonia

03/11/2016 00:00

Kontesti mbi sovranitetin e ishujve që njihen si Kuril nga rusët dhe Ishujt Veriorë nga japonezët, ka bërë që dy vendet të mos nënshkruajnë një akt pushimi zjarri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

E kur kanë kaluar 7 dekada nga ulja e armëve në konfliktin më të madh të njerëzimit, dy vendet janë ende në kërkim të një zgjidhjeje për këtë grup ishujsh.

Bëhet fjalë për 4 ishuj të vegjël të vegjël ku banojnë rreth 20 mijë persona, pjesa më e madhe ushtarakë rusë më familjet, që Japonia ka propozuar ndarjen e tyre. Por propozimi i Tokios ka hasur në një “Jo” të prerë të Moskës.

“Sovraniteti i Rusisë mbi ishujt Kuril as që është për diskutim”, deklaronte nga Tokio kryetarja e Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, Valentina Matviyenko.

Rusët kanë një propozim tjetër.

“Rusia është gati për bashkëveprim ekonomik me Japoninë për grupin e ishujve në fjalë, përfshirë këtu edhe krijimin e një zone të lirë ekonomike. Shpresoj që në këtë pikë të gjejmë gjuhën e përbashkët”, tha Matviyenko.

Deklarata e kryetares së Dhomës së Lartë të Parlamentit rus u bë pas disa artikujve në mediat japoneze dhe ato ruse, ku flitej se Moska po shqyrtonte mundësinë që t’i kalonte Japonisë sovranitetin e të paktën dy prej këtyre ishujve.

Top Channel