FIFA gjobit me 50 mijë franga zvicerane FSHF-në

03/11/2016 00:00

FIFA ka konfirmuar këtë të enjte sanksionet e vendosura ndaj disa federatave të shteteve anëtare për incidentet e ndodhura së fundi në ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2018, përfshi këtu edhe akuzat për diskriminim dhe sjellje të pahijshme sportive të spektatorëve, si dhe manifestime fetare.

Pas raporteve të ndeshjeve dhe, në disa raste edhe të dhëna të siguruara nga Sistemi Monitorues Antidiskriminim, FIFA ka nisur procedimet disiplinore kundër federatave të Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Estonisë, Ukrainës, Paraguajit, Brazilit, Kilit, Argjentinës dhe Iranit.

Sa i përket Shqipërisë, FSHF-ja është gjobitur me 50 mijë franga zvicerane në total për dy çështje disiplinore, ndërsa me po kaq është gjobitur edhe Kroacia. FFK-ja me 30 mijë franga, ndërsa të tjerët me shuma më të vogla sesa kaq.

Të gjitha procedimet ndaj këtyre federatave kanë ardhur si pasojë e incidenteve diskriminuese dhe sjelljeve josportive nga tifozët, përfshi kore homofobike në disa raste. Ndryshe nga të tjerët, Irani është gjobitur me 45 mijë franga zvicerane, për shkak të manifestimeve fetare gjatë një ndeshjeje (gjatë manifestimit të Ashurës).

Palët e prekura janë njoftuar mbi këtë vendim.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel