Blushi: Nacionalistët e sotëm po na qeverisin shumë keq

03/11/2016 00:00

Deputeti Ben Blushi, në kuadër të temës së nacionalizmit që po diskutohet këtë të enjte në Kuvend, deklaroi se nuk janë grekët dhe serbët armiqtë e Shqipërisë.

Blushi tha se gara e nacionalistëve po zhvillohet në Shqipëri dhe nënvizoi se protagonistët e kësaj gare po na qeverisin shumë keq.

“Në këtë parlament janë zhvilluar gara të ndryshme mes burrave që kërkojnë pushtet dhe sot kryeministri që kemi na ftoi në një garë të re. Kush është më nacionalist në këtë Parlament? Nëse do të duhej t’i bënim një kalim historisë së Evropës së kaluar, është shumë e qartë se kush janë nacionalistët dhe kush janë patriotët”, tha Blushi.

Ai theksoi se, nacionalistët e kanë shkatërruar Evropën, ndërsa patriotët e kanë bashkuar.

“Dhe ky është ndryshimi themelor në 100 vjetët e fundit. Evropa është shkallmuar sa herë nacionalistët kanë triumfuar dhe është zhvilluar sa herë kanë dominuar patriotët dhe askund tjetër si në Evropë ata nuk janë përplasur me më shumë zell edhe me më shumë antagonizëm, sidomos gjatë shekullit të kaluar”, tha Blushi.

Mes të tjerash, Blushi tha se çështja e shtëpive të banorëve të Himarës nuk është një çështje e Greqisë.

Top Channel